Eurozona thyen “syrin” – Biznesi humbet vrullin, por projeksionet nuk kërcënohen
Aktiviteti i biznesit në Eurozonë ngadalësoi disi hapin gjatë Qershorit, por pavarësisht kësaj vijon të regjistrojë performancën më të mirë në 6 vite, tregojnë të dhënat e fundit nga Markit.
Indeksi PMI gjatë Qershorit zbriti në 56.3 pikë, nga 56.8 pikë që ishte gjatë Majit. Rezultati rezulton gjithashtu nën pritshmëritë e tregjeve dhe analistëve.
Indeksi PMI është një ndër matësit më real të aktivitetit ekonomik të rajonit dhe niveli i 50 pikëve ndan rritjen nga kontraktimi.
Në Eurozonë ka qenë sipër këtij niveli çdo muaj që prej mesit të vitit 2013. Ekspertët shprehen se, leximi fundit i indeksit PMI të Markit flet për një humbje të lehtë të vrullit të ekonomisë gjatë tremujorit të dytë të vitit, por se kjo, asesi nuk do të ndikojë në projeksionet e rritjes ekonomike gjatë kësaj periudhe kohore.
Në fuqi vijojnë të mbeten projeksionet për një rritje ekonomike pranë 0.7% gjatë periudhës Prill-Qershor, thonë ekspertët. Nën indikatori që i referohet bizneseve të reja ndërkohë, u rrit gjatë qershorit në krahasim me majin.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.