Evakuohen 47 familje në Berat dhe Cërrik, Klosi: 600 punonjës të AKM, AKZM dhe ISHMP në terren
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi inspekton nga afër situatën e krijuar nga reshjet në qarkun e Beratit. Ministri bëri me dije se janë evakuuar 27 familje në një nga zonat më të rrezikuara si edhe 20 familje në Cërrik.
Ndërkohë, në Bashkinë e Urës Vajgurore dhe atë të Skraparit të cilat janë zonat më problematike për momentin, janë përqendruar të gjitha forcat për të normalizuar situatën.
Klosi bëri thirrje që të gjithë qytetarët, bizneset e zonës, të kenë parasysh që në radhë të parë të shpëtojnë jetën pastaj pronat e pasuritë.
Në të gjithë vendin me urdhër të kreut të Turizmit dhe Mjedisit që nga dita e djeshme janë angazhuar 600 punonjës të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Zonave të Mbrojtura dhe Inspektoratit të Mjedisit për të dhënë të gjithë mbështetjen logjistike dhe për të monitoruar e ndihmuar në lehtësimin e situatës në zonat e rrezikuara.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.