Fabrika shtetërore e çokollatës del në ankand, çmimi fillestar 261 mijë euro
Fabrika e ëmbëlsirave “Ravanica”, 100 për qind shtetërore në Serbi, do të vendoset për shitje në një ankand më 14 gusht.
Pritet që në këtë ankand të marrin pjesë të paktën 10 ofertues, deklaroi kryetari i komunës Cuprija Ninoslav Eric, në zonën ku ndodhet fabrika.
“Unë pres që së paku dhjetë kompani të marrin pjesë në ankandin publik, dhe më 14 gusht do të zbulojmë se kush do të jetë pronari i ri i Ravanikës. Fabrika është e rëndësishme për këtë rajon, për Serbinë, ajo duhet të përmirësohet dhe ne presim që kjo të vijë nga privatizimi i saj,” tha Eric.
Ministria e Ekonomisë njoftoi një tender publik për privatizimin e Ravanica, një nga fabrikat më të njohura të prodhimeve të ëmbëlsirave në ish Jugosllavi dhe në Serbi, më 6 korrik.
Aplikimet për pjesëmarrje pranohen deri më 10 gusht.
Vlera e përgjithshme e vlerësuar e kapitalit të Ravanikës është 261,000 euro, dhe ky është çmimi fillestar i shitjes. Fabrika punëson 113 punëtorë.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.