Fabrikat britanike në vrull – Rriten porositë për mallrat, ndihmon paundi i dobët
Fabrikat në Mbretërinë e Bashkuar kanë patur performancën më të fortë në 4 muaj për Gushtin, nxitur nga porositë jashtë vendit dhe kërkesa e brendshme.
Sipas kompanisë Markit që ndërmerr sondazhe drejt firmave, një tregues mbi prodhimin e fabrikave u rrit në 56.9 pikë, shumë sipër projeksioneve të analistëve. Kompanitë kanë raportuar një rritje të madhe të porosive të reja, nxitur nga paundi i dobët.
Referendumi i vitit të kaluar për daljen nga Bashkimi Europian, shkaktoi një rënie të valutës së Britanisë, duke i dhënë avantazh tregtar vendit.
Ndërsa rritja ekonomike u ngadalësua në gjysmën e parë prej rënies së shpenzimeve konsumatore, disa politikëbërës në Bankën e Anglisë kanë bërë thirrje për një rritje të normës bazë të interesit për të mbajtur inflacionin në vargun objektiv.
Analistët e kompanisë Markit thonë se performanca e fortë në fabrika, do të sjellë përshpejtimin e ekonomisë në tremujorin e tretë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.