Fabrikat në Eurozonë – Kërkesa mbetet e fortë pavarësisht rritjes së çmimeve
Prodhuesit europianë e kanë nisur tremujorin e dytë me një ritëm të mirë, duke përshpejtuar aktivitetin në normë më të lartë në 6 vite, ndërkohë që kërkesa ka mbetur e fortë pavarësisht rritjes së çmimeve.
Indeksi PMI për Eurozonën që formulohet nëpërmjet mijëra sondazheve në fabrikat e rajonit, u rrit në 56.7 pikë, niveli më i lartë që prej Prillit 2011. Analistët thonë se kushtet e biznesit janë përmirësuar ndjeshëm në muajin Prill, duke sjellë një nisje të fortë për tremujorin e dytë.
Ekonomistët thonë se rritja ekonomike në bllokun e valutës së përbashkët do të jetë e qëndrueshme. Megjithatë, projeksionet janë bërë duke marrë parasysh se kandidati i qendrës Emmanuel Macron do të fitojë zgjedhjet në Francë.
Kërkesa e madhe nuk është frenuar nga rritja e çmimeve në fabrika. Shenjat se politikat monetare po japin efekt, me një rritje të qëndrueshme dhe presione në çmime, do të priten pozitivisht nga Banka Qendrore Europiane.
Eurostat raportoi javën e kaluar se inflacioni u rrit sipër projeksioneve për muajin Prill, duke u rikthyer përsëri në objektivin e bankës në Frankfurt.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.