Facebook ”hakohet” nga kuizet që vjedhin të dhënat e përdoruesve
Kohët e fundit kemi vënë re shpesh disa kuice që qarkullojnë në rrjetin social ‘Facebook’’ të cilët kanë pasur për qëllim vjedhjen e mijëra të dhënave të profileve të përdoruesve të këtij aplikacioni. Këto kuice janë përdorur rreth 63.000 herë në një përiudhë kohore nga 2016 -2018.
Facebook po padit Andrey Gorbachov dhe Gleb Sluchevsky, dy hakera nga Ukraina, të cilët kanë punuar për një kompani të quajtur ‘Web Sun Group’. Kuice, me tituj të tillë si “Çfarë tregon ngjyra juaj e syve për ju?” dhe “A të duan njerëzit për inteligjencën tënde apo bukurinë tënde?”, kanë fituar akses nëpërmjet sistemit të Facebook , i cili mundëson lidhjet midis aplikacioneve të palëve të treta dhe profileve të Facebook.
“Në total, të pandehurit dëmtuan rreth 63,000 përdorues të Facebook dhe shkaktuan më shumë se 75,000 dollarë dëm monetar ndaj nesh,” tha kompania Facebook në dokumentet gjatë gjyqit, publikuar nga “The Daily Beast”. Dokumentet akuzojnë dy burrat për thyerjen e ligjeve të SHBA kundër hakerëve të kompjuterave, si dhe shkelje të kushteve të përdorimit të Facebook.
“Në thelb, kjo tregon dështimet e ekosistemit të aplikacioneve , ku nuk ka kontroll se nga çfarë risqesh janë të rrethuar përdoruesit e aplikacionit’’ tha Andrew Dwyer, një ekspert në fushën e sigurisë në Universitetin e Oksfordit, për BBC News. Facebook thotë se përdoruesve u jepej një informacion i gabuar kur i’u thuhej se do të merrej vetëm një sasi të kufizuar e të dhënave nga profilet e tyre.
Elefteria Zguri/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.