Facebook injoron skandalin e Rusisë – Rreziku politik nuk ndikon biznesin, fitimi rritet me 79%
Facebook ka marrë kritika të ashpra mbi dështimin për të parandaluar rusët në përdorimin e platformës për të ndërhyrë në zgjedhje.
Megjithatë, në raportimin e të ardhurave për tremujorin e tretë, kompania tregoi se sa i papërfillshëm është ndikimi i rrezikut politik te veprimtaria.
Facebook raportoi se fitimi për periudhën u rrit me 79% dhe të ardhurat u rritën me gati 50%, kryesisht prej të ardhurave nga reklamat.
Kreu ekzekutiv Mark Zuckerberg kritikoi përpjekjet e Rusisë vitin e kaluar për të influencuar në zgjedhje nëpërmjet postimeve dhe reklamave dhe përsëriti se do të shtojë shpenzimet për t’u përballur me këtë problem.
Zuckerberg tha se plani i shpenzimeve do të përfshijë 10,000 persona të rinj për të vlerësuar përmbajtjet në rrjet. Aksioni i kompanisë arriti një rekord të ri prej 182.9 dollarë pas lajmërimit, por ra përsëri në mbyllje të sesionit tregtar prej diskutimeve mbi rritjen e shpenzimeve.
Aksionet e Facebook janë rritur me rreth 60% për këtë vit. Në disa zbulime në muajt e fundit, Facebook deklaroi se rusët kanë blerë të paktën 3,000 reklama politikë të Shteteve të Bashkuara dhe kanë publikuar 80,000 postime që janë parë nga 126 milionë amerikanë në 2 vitet e fundit.
Të ardhurat totale nga reklamat u rritën me 49% në 10.14 miliardë dollarë, ku 88% të kësaj shifre e përbënin reklamat në aparatet celularë.
Shefja e operacioneve, Sheryl Sandberg theksoi se reklamat në video në aparatët celularë përbëjnë një mundësi të madhe. Të ardhurat neto u rritën në 4,71 miliardë dollarë, apo 1,59 dollarë për aksion.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.