Facebook njofton hapjen e 800 vendeve të reja pune
Facebook ka njoftuar se do të krijojë 800 vende të reja pune në Britaninë e Madhe vitin e ardhshëm. Kështu, numri i të punësuarve nga Facebook në zyrat e tij në Londër do të arrijë në 2300. Kjo do të bëhet edhe qendra më e madhe teknologjike e Facebook-ut jashtë SHBA-së.
Nicola Mendelsohn, zëvendëspresidente e Facebook për Evropën, Lindjen e Mesme dhe Azinë, vlerësoi Britaninë e Madhe si një bazë të kompanisë teknologjike.
“Ekosistemi i favorshëm sipërmarrës i Britanisë së Madhe dhe reputacioni ndërkombëtar për përsosmëri teknologjike e bëjnë atë një nga vendet më të mira në botë për të ndërtuar një kompani të teknologjisë.”
Mendelsohn shtoi se vendimi tregoi edhe një herë që Facebook ishte më i angazhuar se kurrë në Britani. Ndërtesa pranë Oxford Circus në qendër të Londrës është projektuar nga Frank Gehry, arkitekt më i njohur për Muzeun ‘Guggenheim’ në Bilbao të Spanjës.
Ajo do të ‘strehojë’ inxhinierë, programues dhe ekipe të shitjes. Po ashtu, në ndërtesë do të vendoset edhe një hapësirë inkubatori dedikuar fillimit të aktivitetit, i quajtur LDN_LAB.
Ndërkohë, rivali i Facebook, Google po planifikon të hapë një seli të re në Londër dhe të krijojë 3000 vende të reja pune deri në vitin 2020.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.