Facebook nuk ndikohet nga skandali – Raporti i tremujorit tregon rritjen e fitimit dhe numrit të përdoruesve
Vlera në treg e Facebook është rritur, pas publikimit të rezultatit për tremujorin, ku tregoi një rritje të fitimit me 63% dhe shtimin e përdoruesve, pa shenja të ngadalësimit të biznesit nga skandali i të dhënave personale. Pasi theu projeksionet e Wall Street, aksioni i FB u rrit me 7.1% në 171 dollarë, duke kompensuar rënien që nisi në muajin Mars me skandalin e marrjes së të dhënave nga Cambridge Analytica.
Skandali i Cambridge Analytica ndikoi 87 milionë përdorues, bëri që Mark Zuckerberg të kërkojë falje, gjeneroi thirrje nga rregullatorët dhe disa përdorues që të mbyllin llogaritë e tyre, megjithatë nuk ka patur ndonjë ndikim te shpenzimet e reklamuesve. Fitimi i Facebook theu projeksionet, ndërkohë që rritja me 49% e të ardhurave tejkaloi rritjen me 39% të shpenzimeve. Biznesi i reklamave në celularë u rrit prej iniciativës për të shtuar më shumë përmbajtje në video.
Facebook deklaroi se numri i përdoruesve aktiv mujor u rrit në 2.2 miliardë gjatë tremujorit të parë, rritje me 13% nga e njëjta periudhë një vit më parë. Rezultati përbën lajm pozitiv për rrjetin më të madh social në botë, në një kohë të titujve negativ mbi kompaninë mbi dhënien e informacionit personal. Facebook ka rritur shpenzimet për të siguruar që të mos shkaktohet panik te përdoruesit nga skandalet. Kreu i Financave, David Wehner ka thënë se shpenzimet këtë vit do të rriten në mbi 50% dhe se pjesa më e madhe do të jetë për sigurinë, përfshirë identifikimin e llogarive false dhe heqjen e videove me përmbajtje dhune.
Facebook bëri të ditur se në fund të tremujorit të parë punësonte 27,742 persona, apo 48% më shumë krahasuar me vitin e kaluar. Hera e fundit që aksionet e Facebook rriten sipër 7%-shit ishte përpara dy vite. Fitimi i pashpërndarë u rrit në 4.99 miliardë dollarë apo në 1.69 dollarë për aksion, nga $1.04 që ishte një vit më parë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.