Facebook sqaron sulmin – U vodhën të dhënat e 29 milionë përdoruesve
Facebook ka zbardhur më shumë detaje nga sulmi i disa javëve më parë ndaj përdoruesve të rrjetit social numër një në botë. Sipas vetë kompanisë, nga ky sulm u vodhën të dhënat e 29 milionë përdoruesve në të gjithë botën. Fillimisht u raportua për 50 milionë profile të shënjestruara. Paçka se bilanci është më i ulët se kaq, bëhet fjalë për vjedhjen më të madhe të të dhënave në historinë e kompanisë.
Ndër të tjera, Facebook deklaron se në ditët në vijim do të adresojë secilin nga profilet e goditura, për t`i sqaruar se si duhet të veprojnë, dhe se çfarë informacioni ka rënë në duart e keqbërësve. Bëhet me dije se janë vjedhur kryesisht të dhëna si data e lindjes, emrat e punëdhënësve, historia e edukimit, preferencat fetare, pajisjet që janë përdorur, faqet e ndjekura si dhe kërkimet e fundit, apo check-in të rreth 14 milionë përdoruesve.
Për 15 milionë përdoruesit e tjerë ndërkohë janë vjedhur vetëm emrat dhe listat e miqve. Ky skandal ka hedhur hije të tjera mbi Facebook, që së fundi është përfshirë nga një sërë skandalesh të ngjashme, në lidhje me ruajtjen e të dhënave personale të përdoruesve të saj.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.