Faktorët që orientojnë bizneset! Flet për “Scan Magazine” Elvin Meka, ekspert i ekonomisë
Të dhënat më të fundit të Institutit të Statistikave tregojnë se, gjatë vitit të kaluar, bizneset e reja janë orientuar sërish në sektorin e tregtisë dhe atë të shërbimit ushqimor dhe pijeve, që zënë thuajse 50% të totalit. A vazhdojnë baret dhe dyqanet e vogla të shihen si një alternativë punësimi me pak kosto nga shqiptarët, apo kemi të bëjmë thjesht me një mungesë vizioni në të bërit biznes?
Prof.Asoc.Dr. Elvin Meka, ekspert ekonomie si dhe administrator i Kolegjit Universitar “Luarasi”, shprehet në intervistë për “Scan Magazine” se, “më shumë sesa mungesë vizioni, apo kosto më të ulëta për sipërmarrje, zgjedhja e angazhimit në biznes në këtë sektor ka të bëjë me disa faktorë, ku mund të përmenden: lehtësia e hyrjes dhe daljes nga sektori dhe biznesi; mungesa e industrive të mëdha apo të mesme prodhuese; dinamizmi modest i tregut kombëtar të punës; niveli arsimor mesatar i popullatës; migrimi dhe përqendrimi i popullatës rurale të pa sofistikuar në qytete; marzhet relativisht të larta të fitimit të sektorit, etj.
Të dhënat flasin gjithashtu për një bum të ndërmarrjeve të tipit konsulencë financiare, shërbime IT, apo mirëmbajtje zyrash, deri në masë 44% rritje, në krahasim me vitin paraardhës. Kjo rritje justifikohet me epokën e teknologjisë dhe nevojat që ka tregu. Por, a është i duhur hapi i rritjes së këtyre bizneseve disi alternative?
Patjetër që po. Zhvillimet teknologjike duhet të mbështesin gjerësisht biznesin. Këto zhvillime pasqyrojnë kërkesën e tregut, e cila tani është jo vetëm në nivel kombëtar, por i përgjigjet dhe kërkesave të tregjeve jashtë kufijve të Shqipërisë. Nga ana tjetër, zhvillimi i shërbimeve financiare dhe ngritja e firmave të konsulencës tregojnë për një përpjekje për të zhvilluar këtë treg deri më tani të munguar, si dhe për t’iu përgjigjur këtyre zhvillimeve.
Cilat mendoni se janë bizneset që ofrojnë marzhin më të lartë të rritjes aktualisht në tregun shqiptar, duke llogaritur jo vetëm kërkesën që ka tregu, por dhe kapitalin njerëzor që ofrojnë shqiptarët?
Momentalisht rritjen më të lartë premtuese e ofrojnë shërbimet e konsulencës së kualifikuar dhe ato në fushën e TI. Një tjetër biznes që paraqet potencial rritjeje dhe fitimi është ai që u përket profesioneve të lira, të tilla si: shërbime të mirëmbajtjes (hidraulike, elektrike, komunikacioni, etj.), por jo vetëm, të cilat momentalisht nuk funksionojnë si biznese të strukturuara, por që kanë potencialin për t’u zhvilluar, si pasojë e kërkesës së vazhdueshme dhe të qëndrueshme në treg.
Mendoni se duhet të ketë politika më të qarta të qeverisë për të orientuar disi modelet e të bërit biznes? Veç incentivave të drejtpërdrejta për sektorë të caktuar, çfarë do të propozonit si një mënyrë efikase për të nxitur ata që duan të investojnë në sipërmarrje, që të bëjnë një zgjedhje jo të imponuar nga mungesa e informacionit dhe e vizionit?
Më shumë sesa politika qeveritare të modeleve të të bërit biznes, qeveria mund të angazhohet në hartimin e politikave publike, për orientimin dhe përqendrimin e burimeve financiare dhe njerëzore në sektorë prioritarë, ku Shqipëria ka dhe mund të ketë avantazh krahasues, minimalisht në rajon, por dhe më gjerë.
Nga sa më lart, një mënyrë efikase është shpallja si politikë publike e inovacionit dhe kërkimit shkencor, që nënkupton dhe angazhimin e burimeve të rëndësishme financiare nga ana e qeverisë. Gjithashtu një tjetër fushë me shumë perspektivë në sipërmarrje është modeli i bujqësisë së integruar në të gjithë zinxhirin e saj të vlerës, si model biznesi që aktualisht mungon në Shqipëri dhe ka mundësi të mëdha për zhvillim dhe fitime të qëndrueshme.
Roel Korkuti/Scan Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.