“Falë zotit ekziston dollari” – Presidenti i Venezuelës, përkrah valutën e vendit “armik”
Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, përkrahu valutën vendit rival, Shteteve të Bashkuara, pasi e ka ndihmuar vendin që t’i bëjë ballë krizës ekonomike që ka ardhur nga sanksionet amerikane. Valuta e zyrtare, bolivari, ka rënë me mbi 90% këtë vit, ndërkohë që hiperinflacioni në 9 muajt e para të vitit arriti në 4,680%, sipas bankës qendrore. Inflacioni i lartë ka gërryer fuqinë blerëse të Venezuelës, ndërkohë që paga minimale e vendit, së bashku me ndihmat ushqimore, është ekivalente me 10 dollarë në muaj.
“Nuk e shoh si gjë të keqe, këtë proces që ata e quajnë dollarizim. Po ndihmon rimëkëmbjen e vendit dhe ekonominë. Falë zotit që ekziston”, tha Maduro.
Maduro, që deri në 2018-ën e kishte ndaluar përdorimin e dollarit, shtoi se pavarësisht se ka pasur rritje të transaksioneve në valutën amerikane në muajt e fundit, bolivari do të vazhdojë të qarkullojë si valutë zyrtare. Që prej vitit 2003, kursi i këmbimit është caktuar nga banka qendrore e Venezuleës, por norma është bërë gjithnjë e më fleksibël. Për të shmangur sanksionet e ashpra amerikane, banka qendrore ka nisur injektimin e euros në ekonomi. Qeveria dhe kompania shtetërore e naftës ka nisur të paguajë kontraktorët në valutën europiane.
Valutat e huaja hyjnë në ekonominë anëtare të OPEC nëpërmjet shitjes së dërgesave të naftës dhe arit. Lideri i opozitës, Juan Guaido, reagoi ndaj komenteve të dollarizimit të Maduro, duke thënë se ka pranuar një tjetër mposhtje. Situata ekonomike e Venezuelës ka sjellë një krizë humanitare dhe ka detyruar emigrimin e mbi 4 milionë personave.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.