Falen detyrimet për 1100 invalidë – Përfitonin pension dhe punonin, ligji hyn në fuqi më 5 Qershor
Mbi 1 mijë persona në pension invaliditeti dhe pension si punonjës të minierave, të cilët gjatë periudhës së marrjes së pensionit kanë qenë njëkohësisht edhe në marrëdhënie pune, në kundërshtim me ligjin, do t’u falen detyrimet ndaj Fondit të Sigurimeve Shoqërore.
Detyrimi mesatar që do t’i falet kësaj kategorie është prej rreth 300 mijë lekësh. Ligji është botuar në Fletoren Zyrtare dhe hyn në fuqi më 5 Qershor. Në draft specifikohet se falja, përfshin edhe detyrimet e njohura me vendim të gjykatave, ndërsa çështjet në proces gjykimi nuk përbëjnë objekt konflikti gjyqësor dhe pushohen.
Në ligj thuhet se “brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi, Instituti i Sigurimeve Shoqërore të evidentojë dhe të zbatojë të gjitha procedurat administrative dhe dokumentare të evidentimit të detyrimeve të falura. Detyrimet e personave të përcaktuar në nenin 1, të këtij ligji, të cilat mund të krijohen për shkak të punësimit pas datës 1.1.2017, nuk falen”.
Pas rakordimit të të dhënave midis tatimeve dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore kanë rezultuar të punësuar edhe ushtarakë në pension të parakohshëm, të cilët në deklaratat e tyre vjetore pretendonin të ishin të papunë, punonjës të universiteteve dhe shkollave të larta, të cilët kanë tituj shkencorë apo persona që kanë kryer funksione kushtetuese dhe punonjës të shtetit.
Gjithsej, në të gjithë Shqipërinë janë konstatuar 260 minatorë në pension pleqërie dhe 1473 persona në pension invaliditeti, nga të cilët 626 invalidë të plotë dhe 847 invalidë të pjesshëm, të cilët kanë qenë të punësuar dhe kanë tërhequr pensionet.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.