Falimentimi i biznesit të riciklimit – AKIP: Po bëhet për inceneratorët, do i hapet rruga importit të plehrave
Aleanca Kundër Importit të Plehrave mbështet kërkesat e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë dhe Shoqatës se Ricikluesve për ndaljen e aksionit represiv ndaj subjekteve private që punojnë në fushën e grumbullimit e përpunimit të mbetjeve të riciklueshme, anulimin e vendimit për heqjen dhe pezullimin e lejeve mjedisore dhe licencave të tyre. Reagimi i AKIP vjen një ditë pas publikimit të lajmit mbi pezullimin e lejeve mjedisore për rreth 100 subjekte që ushtrojnë aktivitetin e tyre në fushën e grumbullimit dhe përpunimit të mbetjeve të riciklueshme në kryeqytet.
Përmes një deklarate për media, AKIP e konsideron këtë sulm ndaj grumbulluesve, sidomos të plastikës si angazhim të Qeverisë për të shkuar më tej me vendimmarrjen e saj thellësisht të gabuar për ndërtimin e incineraorëve ne Fier, Tiranë e Elbasan, ndërsa ndotjen prej pikave të grumbullimit e konsideron thjesht si justifikim të këtij aksioni të jashtëligjshëm.
“Vendimet koncesionare, deri tani, për ndërtim të incineratoreve në Shqipëri në kapacitetin e 100% të mbetjeve urbane të gjeneruara në vend tregon qartazi se Qeveria me dashje po falimenton biznesin e riciklimit. Gjithashtu kapaciteti i këtyre incineratorëve shumë shpejt do të kërkojë importin e plehrave, pasi teknologjia e tyre nuk lejon fikjen e ndezjen e tyre sipas sasisë së plehrave. Ato duhet të djegin 24 orë në 365 ditë të vitit”, -thuhet ndër të tjera në deklaratë.
Në përfundim të saj, bëhet me dije se AKIP në bashkëpunim me ricikluesit vendas edhe me ekspertë të huaj është duke punuar për një alternativë antiincenerator mbështetur në legjislacionin e vendit dhe atë Europian për maksimizimin e riciklimit. Ndërkohë që, varianti alternativ do t’i paraqitet Qeverisë në këtë pranverë.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.