Falsifikonin dokumente për aplikim e rinovim të lejeve të drejtimit – Policia ndalon 4 shtetas
Policia e Shtetit bën me dije se Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas një hetimi disaditor zhvilluan dhe finalizuan operacionin e koduar “Formulari” si rezultat i të cilit u vunë në pranga shtetasit: I. K., 51 vjeç dhe A. G., 32 vjeç, të dy banues në Tiranë si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi D. F., 40 vjeç dhe u shpall në kërkim shtetasja O. D., 26 vjeçe.
Sipas njoftimit këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, falsifikonin vulat dhe firmat e personelit mjekësor duke plotësuar fiktivisht formularët që plotësohen për aplikimin ose rinovimin e lejeve të drejtimit.
Policia njofton se në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar formularë të falsifikuar, kuponë jo-tatimor të prerë fiktivisht, mandate arkëtimi të falsifikuar dhe aparate celularë ndërsa materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.