“Familjarët, të përjashtohen nga akciza e gazit” – Deputeti socialist me propozim konkret. Komisioni miraton paketën fiskale pa ndryshime
Paketa fiskale për vitin e ardhshëm është miratuar nen për nen në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese pa asnjë ndryshim, pavarësisht kundërshtive dhe sugjerimeve të shumta të ardhura nga deputetët dhe grupet e interesit.
Gjatë diskutimeve në Komision, deputeti i mazhorancës Ismet Beqiraj, si një specialist i fushës, ka propozuar që të mos rëndohen familjarët përmes unifikimit të akcizës së gazit të lëngshëm, por të përdoret procesi i markimit. Propozim i cili nuk është marrë në konsideratë.
Propozimi i deputetit socialist ka gjetur mbështetjen edhe nga anëtarët demokratë të Komisionit, të cilët kanë ngritur shqetësimin se asnjë propozim i grupeve të interesit për paketën fiskale nuk është marrë në konsideratë.
Pas miratimit të ndryshimeve fiskale , Kryetari i Komisionit është shprehur se propozimet do të kalojnë në formë rekomandimesh pranë Komisionit të Ekonomisë dhe Financave.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.