Familjet, më shumë kredi në lekë – 62.7% e portofolit është në monedhën vendase
Kreditimi i individëve po orientohet gjithnjë e më shumë drejt lekut. Sipas Bankës së Shqipërisë, në dhjetor 2018 kredia në lekë përbënte 62.7% të totalit të kredisë për individë.
Krahasuar me një vit më parë, pesha specifike e kredisë në lekë është rritur me 3.5 pikë përqindje.
Kredia në lekë për segmentin e individëve u rrit me mbi 10% për vitin e kaluar, ndërsa ajo në valutë me më pak se 3%.
Normat e ulëta të interesit të kredisë për individë, si dhe politikat e ndjekura nga bankat prej disa vitesh për kreditimin e individëve në monedhën në të cilën kanë të ardhurat, mendohet se janë faktorët kryesorë që po e mbështesin këtë zhvendosje.
Rritja e kredisë në lekë, të paktën te individët, është një nga rezultatet më të prekshme të politikës monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë. Arsyeja kryesore që i ka shtyrë individët drejt huamarrjes në valutë në të shkuarën ka qenë çmimi më i lirë i kredisë.
Por, ngushtimi i ndjeshëm i diferencave të interesave ka bërë që individët të mos kenë stimuj domethënës për ta marrë kredinë në një monedhë tjetër nga ajo e të ardhurave.
Në fund të vitit të kaluar, diferenca në interesin mesatar mes kredive në euro dhe atyre në lekë për individët ishte rreth 0.5 pikë përqindje.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.