Fati i kazinove elektronike e llotove – Financat japin zgjidhje, efektet në punësim minimale
Nga 1 janari 2019, 10 kompani lojërash elektronike nuk do të funksionojnë më në qendrat urbane dhe 3 kompani bastesh të cilat kanë rreth 4200 pika në të gjithë vendin, do të mbyllen.
Por vendimi i ri i qeverisë lë hapësirë për funksionimin e subjekteve të licencuara si kazino edhe pse janë të pozicionuara në zona të banuara. Këtyre subjekteve mund tu bashkëngjiten edhe ato elektronike, ndërsa bastet sportive duhet të nisin procedurat e çregjistrimit si aktivitet në fushën e lojërave të fatit.
“Edhe lojërat elektronike mund të jenë pjesë e kazinove që janë të miratuara apo që do të miratohen në vijim. Le të themi është një strategji për lejimin e kazinove në hotelet me 5 yje apo në resortet turistike, natyrisht që do të shfrytëzohen këto hapësira ligjore për të alokuar këto biznese”, deklaroi Niko Lera, drejtor i politikave fiskale nw MF.
Sa i përket funksionimit të tyre online, Ministria e Financave ende nuk ka marrë një vendim, se si do të veprohet.
“Ajo është një çështje në diskutim. Nëse nuk duhet të ketë dhe online, nuk do të ketë. Do ta shohim”.
Ndërsa për efektet ne punësim, Financat janë të mendimit, se një pjesë e mirë e këtyre subjekteve do të ristrukturohen dhe nuk do të ulin qepenat.
“Kemi llogaritur një efekt rreth 4500-5000 të punësuar në këto adresa sekondare. Pjesa më e madhe e këtyre njësive, janë dyqane bufe etj. Ne kemi mendimin që ato nuk do të mbyllen asnjëherë, në kuptimin e mbylljes së qepenit, por ato do të rikonstrukturohen apo do të ngelen bar-bufe siç janë, apo do të rikonstrukturohen në një formë tjetër shërbimi”.
Nga kjo nismë, buxhetit të shteti do ti mungojnë rreth 3.5 miliardë lekë, që janë parashikuar të kompensohen përmes paketës fiskale të vitit 2019.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.