Fatkeqësitë natyrore – Vendi paguan çdo vit faturë ekonomike 35 mln euro, s’ka faturë shëndetësore
Përmbytjet në vendin tonë janë kthyer në një rutinë të përvitshme por pavarësisht kësaj asnjëherë nuk është marrë iniciatia në krijimin e një harte të zonave më të rrezikuara nga fatkeqësitë natyrore.
Krijimi i një harte me fshatrat që rrezikojnë më shumë nga përmbytjet do të ndihmonte në planifikimin dhe menaxhimin më të mirë të emergjienca në aspektin shëndetësor dhe social të tyre. Në këtë mënyrë ndoshta do të planifikohej edhe në buxhetin e shtetit një fond më i lartë se 1.3 milionë euro për emergjencat civile.
Ndërkohë që sipas përllogaritjes nga institucionet ndërkombëtare dhe Drejtoria e Emergjencave Civile fatura financiare që duhet të paguaj shteti çdo vit si rezultat i fatkeqësive natyrore është në vlerën e 35 milionë euro sa i përket dëmeve ekonomike. Sa i përket faturës shëndetësore dhe sociale që shteti duhet të paguaj në rast të emergjencave civile nuk ka të dhëna zyrtare.
Në tre ditët e fundit vendi ynë kaloi orë të vështira si rezultat i ujit që vërshoi drejt shtëpive dhe bizneseve kryesisht në jug të vendit.
Të gjitha strukturat shëndetësore aktivizuan planet e emergjencës, duke siguruar shtim të kapaciteteve në rast nevojë për të përballuar një rritje të sëmundshmërisë apo ngjarjeve të tjera që kanë lidhje me situatën e përmbytjeve; sigurimin e barnave dhe materialeve mjekësore për çdo fluks potencial emergjence.
Ekipet e urgjencës kombëtare kanë kryer në 72 orët e fundit 4046 misione shpëtimi si dhe 385 shtrime sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë për TV Scan.
Si rezultat në qendrat shëndetësore janë trajtuar mbi 189 qytetarët prej të cilëve 77 persona kanë marrë ndihmë të specializuar në spitale dhe 112 perona të tjerë kanë marrë ndihmë shëndetësore pranë banesave të tyre.
Në të njëjtën kohë është zgjeruar shërbimi 24 orësh në Qendrat Shëndetësore në të gjitha zonat ku kishte emergjencë për shkak të përmbytjeve. Aktualisht ofrohet shërbim shëndetësor me kapacitet të shtuar në 14 qendra shëndetësore në zonat më problematike Fier, Vlorë, Gjirokastër dhe Berat.
Ndërkohë që 12 njësi të lëvizshme të urgjencës kryejnë vizita mjekësore tek banorët e evakuuar. Ndërkohë që strukturat e shëndetit publik vijojnë punën për monitorimin e cilësisë së ujit për të shmangur çdo mundësi të përdorimit të ujit të kontaminuar në zonat ku ka patur përmbytje masive.
Burime zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë konfirmojnë për televizionin Scan se aktualisht nuk vërehet rritje e sëmundshmërisë nga pikëpamja epidemiologjike.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.