“Fatura” e 6 ligjeve të paketës së re fiskale! Sa arkëton dhe sa humbet arka e shtetit
Ministria e Financave ka bërë publik draftin e paketës së re fiskale që do të shtrohet për diskutim.
Edhe pse gjatë diskutimeve nuk përjashtohet që të ketë ndryshime, 6 nismat ligjore të paketës shoqërohen nga një “faturë” e efektit pozitiv ose negativ për buxhetin e shtetit, raporton portali ekonomik SCAN.
Vetëm një prej nismave ligjore që sjell lehtësi për sektorin e turizmit, e ka të pamatshëm efektin në buxhetin e shtetit.
Ndryshimet në paketën fiskale të vitit 2018
1-“PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR. 9632, DATË 30.10.2006, “PËR SISTEMIN E TAKSAVE VENDORE”, TË NDRYSHUAR
Qëllimi i këtij projektligji është:
– Ndryshimi i mënyrës së taksimit të ndërtesave, duke ndryshuar metodologjinë e llogaritjes së kësaj takse nga taksa fikse që bazohet në sipërfaqen e ndërtesës, e shprehur në metër katror, në taksë në përqindje e cila aplikohet mbi vlerën e tregut të ndërtesës;
– Ngritja e Kadastrës Fiskale (regjistrit të të dhënave të pasurive të paluajtshme) e cila do të mbështesë dhe do të rrisë efecencën e mbledhjes së taksës së ndërtesës;
– Riklasifikimi i taksës së tabelës, për të pasur një vendosje më të drejtë të taksës referuar llojit të tabelës (e thjeshtë, me ndriçim, elektronike);
– Përjashtimi nga taksa e ndikimit në infrastrukturë e investimeve të kryera për ndërtimin e strukturave akomoduese me 4 yje ose 5 yje “status special” sipas përcaktimit në legjislacionin përkatës për fushën e turizmit.
Ky projektligj pritet të sjellë një efekt pozitiv në të ardhurat e buxhetit të shtetit, me përafërsi 2.4 miliard lekë
2- “PËR NJË NDRYSHIM DHE SHTESË NË LIGJIN NR. 8438, DATË 28.12.1998 “PËR TATIMIN MBI TË ARDHURAT”, TË NDRYSHUAR”
Qëllimi i këtij projektligji është incentivimi i sektorit e turizmit duke ulur normën tatimore në 0% për 10 vitet e para fiskale, për Strukturat akomoduese “Hotelet me 4&5 yje, status special”, sipas përcaktimeve të ligjit të fushës së turizmit. Po ashtu, qëllimi është incentivimi në fushën e prodhimit të softëare-ve duke reduktuar normën tatimore nga 15% në 5%, si një instrument i rëndësishmë për të incentivuar mbajtjen e kapaciteteve intelektuale brenda vendit si një faktor i kyç për zhvillimin teknologjik dhe atë ekonomik.
Efekti negativ në buxhetin e shtetit parashikohet të jetë rreth 93 milion lekë.
3-“PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 9981, DATË 8.09.2008 ‘PËR MIRATIMIN E NIVELEVE TË TARIFËS DOGANORE’, TË NDRYSHUAR
Me këtë projektligj synohet reduktimi i disa tarifave doganore të aplikuara në import të cilat kanë të bëjnë me produktet që përdoren në fushën e teknologjisë së informacionit.
Ky projektligj shoqërohet me efekte financiare negative në buxhetin e shtetit në masën rreth 59 milionë lekë.
4-“PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 61/2012 ‘PËR AKCIZAT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË’, TË NDRYSHUAR”
Projektligji propozohet në zbatim të neneve: 78, 83, pika 1 dhe 155 të Kushtetutës dhe synon të ndryshojë nivelin e akcizës së cigareve që përmbajnë duhan, për vitin 2018.
Në total, efektet në buxhetin e shtetit nga parashikimet e këtij projektligji, vlerësohen të jenë në masën rreth +1,097 milionë lekë.
5-“PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 92/2014 “PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË, TË NDRYSHUAR”
Përmes këtij projektligji propozohen incentiva për sektorin e turizmit që brenda kësaj kategorie strukturash akomoduese, shërbimet të ofrohen me shkallë të reduktuar të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.
Impaktet e këtij projektligji nuk mund të maten pasi reduktimi i shkallës së TVSH-së i referohet një kategorie të caktuar tatimpaguesish, sipas përcaktimeve në legjislacionin e turizmit, megjithatë pritet të sjellë një impakt pozitiv dhe rritje në të ardhura nga zhvillimi i sektorit të turizmit.
6- “PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9975, DATË 28.7.2008 ‘PËR TAKSAT KOMBËTARE’, TË NDRYSHUAR”
Qëllimi i këtij projekt-ligji synon ndryshimin e tij lidhur me:
– saktësime të nevojshme që kanë ardhur si pasojë e zbatimit në praktikë të ligjit nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor, lidhur me aplikimin e taksës së regjistrimit fillestar dhe taksës së përvitshme për automjetet luksoze;
– ndryshime të nevojshme si pasojë e propozimit të paketës ligjore që synon përmirësimin e aksesit në gjykatë për çështje të bazuara në ligj, ku përcaktimi i tarifave të shërbimeve të gjyqësorit është përcaktuar me ligj të veçantë.
Projektligji parashikon efekte pozitive në masën 19 milion lekë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.