“Fatura” e bankave britanike, PwC: Kostot e zhvendosjes projektohen në $500 mln për secilën
Bankat në Mbretërinë e Bashkuar që pritet të zhvendosin mijëra punonjës jashtë vendit, projektohet të përballen me një faturë prej 500 milionë dollarë për secilën.
Kostot për huadhënësit po rriten ndërsa po bëhet më e vështirë se sa u vlerësua më parë për të zhvendosur punonjësit nga Londra dhe ndërkohë që destinacionet si Dublini, Parisi dhe Frankfurti kanë mungesë bankierësh me eksperiencën e britanikëve.
Sipas firmës së shërbimeve financiare, “PricewaterhouseCoopers”, nuk ka mjaftueshëm punonjës të kualifikuar në tregjet lokalë të Bashkimit Europian, për t’u përshtatur me nevojat e bankave, e për rrjedhojë do të duhet zhvendosja e kushtueshme e stafit.
Huadhënësit do të duhet të mbështeten te paketat e kushtueshme të zhvendosjes si strehimi, kostot e shkollave private dhe premtime të tjera për të bindur londinezët që të largohen.
Sipas PwC, dikush që ka të ardhura prej 1 milionë paund në Mbretërinë e Bashkuar, mund të kushtojë rreth 1.5 milionë paund në Paris apo Frankfurt, pas zbritjes së ndonjë rritje të taksës ndaj të ardhurave apo shpenzimeve të tjera.
Rivendosja e mijëra punonjësve në zyra të reja në Bashkimin Europian deri në Prill të 2019-ës, mund të shtojë rreth 100 milionë dollarë vetëm në shpenzime për personelin, duke përjashtuar shpenzimet e ligjore, teknologjikë dhe kapitale që lidhen me krijimin e një njësie.
Ndërsa pak banka kanë ofruar projeksione për kostot e tyre, huadhënësi më i madh britanik e europian HSBC, deklaroi se përballet me një faturë prej rreth 300 milionë dollarë, për të transferuar 1,000 punonjës në Paris, ku ka një filial të licencuar.
Ndërsa negociatat për të marrëdhëniet e ardhshme tregtare mes vendeve kanë ngecur, alternativat për firmat e shërbimeve financiare në Britani po zvogëlohen.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.