Fatura e pagesave cash – BSH: 1.7% e PBB-së, paraja virtuale do na kursente deri në 350 mln euro
Përdorimi i cash-it si mjet pagese, përveç sigurisë së ulët që ofron, e shumë disavantazheve të tjera, ka një kosto mjaft të lartë për ekonominë, e cila vlerësohet në disa pikë përqindje të prodhimit të brendshëm bruto. Sipas një studimi të realizuar nga Banka e Shqipërisë dhe Banka Botërore, rezulton se paraja fizike, instrumenti më i përdorur, përbën njëkohësisht edhe instrumentin më të shtrenjtë, duke i kushtuar ekonomisë shqiptare rreth 1.7% të PBB-së aktualisht. “Nga gjithë pagesat e iniciuara nga konsumatorët, 96% janë kryer me para fizike, krahasuar me 90% të pagesave të përfituara. Po kështu, bizneset në Shqipëri marrin 99.2% të gjitha pagesave në para fizike, ndërsa 66% e pagesave të iniciuara nga bizneset janë me para fizike”-thotë studimi i Bankës së Shqipërisë.
Rezultatet e studimit për një zëvendësim të plotë apo të pjesshëm të instrumentit më të kushtueshëm (cash-it) me instrumente më pak të kushtueshme për ekonominë (si pagesat me kartë ose pagesat e tjera elektronike) janë premtuese dhe motivuese. Kursimet mund të ngjiten deri në thuajse 2.8% të prodhimit të brendshëm bruto, në rast se konvertimi do të jetë në 100%, çka e përkthyer në vlerë absolute sinjalizon një kursim në 350 milionë euro sipas vlerësimeve paraprake për prodhimin e brendshëm bruto të vitit 2019. Me një normë konvertimi në 70%, kursimi do të ishte në rreth 193 milionë euro, ndërsa me një konvertim në 35%, në 91 milionë euro. Banka e Shqipërisë ka edhe një skenar se si mund të realizohet ky konvertim, dhe bazohet kryesisht te përfshirja më e gjerë financiare.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.