Fatura e përmbytjeve, Koka: Nis vlerësimi i dëmeve në Tiranë. Miho: Duhen masa parandaluese
Pas uljes së intensitetit të reshjeve Bashkia e Tiranës ka nisur vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet’. Lajmi është bërë me dije nga drejtori i Emergjencave Civile pranë këtij institucioni, Erion Koka, i cili ishte i ftuar në studion e TV SCAN për të komentuar situatën e ditëve të fundit, krijuar si pasojë e reshjeve të dendura të shiut.
“Ne kemi pritur që të tërhiqen ujërat. E kuptoj edhe atë pjesën që shumë veta dalin dhe japin deklarata që ne i kemi nxjerrë njerëzit për të bërë verifikimet në situata të tilla. Pa u tërhequr ujërat ti nuk shkon dot një vendngjarje dhe nuk mund të nxjerrësh dot një faturë, nuk bën dot një vlerësim. Ne kemi pritur largimin e ujërave, dje janë mbledhur kryepleqtë për të gjitha zonat me administratorët e tyre, të cilët kanë diskutuar që duhet të jenë në mbështetje të të gjithë grupeve në terren, për të nxjerrë dhe për të vlerësuar të gjitha dëmet e shkaktuara. Praktikisht, tani që ne po flasim të gjithë grupet të çdo njësie administrative të Tiranës kanë dalë në terren për të nxjerrë dëmet që janë shkaktuar. Të prekur kemi komunën e Zall-Bastarit, e cila ka qenë totalisht e bllokuar për disa ditë”, shprehet Koka.
Ndërkaq, për profesorin e Shkencave të Natyrës, Aleko Miho është e domosdoshme ndërhyja në pyje dhe lumenj, në mënyrë që të shmangen përmbytjet.
“Kushdo që është pak i shkolluar, jo shumë e di se çfarë pasojash vijnë në qoftë se ne nuk marrim masa për të filluar pyllëzimin e vendit. D.m.th. moratoriumi është një masë e mirë, por nuk mjafton. Ne duhet të nxisim praktika që çojnë në pyllëzimin e vendit, unë pak shoh të tilla, ndërkohë që janë edhe masa të tjera. Ajo çfarë shohim çdo ditë është edhe përdorimi i keq i tokës, urbanizimi i keq, vend e pa vend. Të ndalojmë këtë mënyrë që të ndërtohet aty ku lumi përmbyt” thotë Miho.
Prej datës 29 nëntor vendi ynë është përfshirë nga moti i keq, i cili shkaktoi përmbytje, kryesisht në Qarkun e Fierit dhe Vlorës.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.