Fatura e pronave, mbi 800 milion euro, drejtuesja e ATP, Baçi: U vlerësuan 26 mijë dosje, fondi i 2018-ës u tkurr
Mbi 800 milion euro është fatura e kompensimit e pronarëve realë për rreth 26 mijë vendime përfundimtare të dhëna nga vitit 1993 deri në vitin 2013.
Të dhënat janë bërë me dije nga drejtoresha e Agjencisë së Trajtimit të Pronës, Jonida Baçi gjatë raportimit në komisionin parlamentar të Ligjeve, e cila shtoi se kjo vlerë mund të ndryshojë në varësi të vendimeve gjyqësore për dosjet e ankimuara.
Ndërkaq, fondi i kompensimit i akorduar nga buxheti i shtetit për vitin 2018 ishte 2.8 miliard lekë, ndonëse ligji parashikonte që ai të ishte 3.69 miliard lekë.
Gjatë diskutimeve në komision, u ngrit shqetësimi edhe në lidhje me numrin e lartë të qytetarëve që i janë drejtuar gjykatës, si pasojë e mosdorëzimit në kohë të dokumentacionit. Sipas deputetes Vasilika Hysi, këta qytetarë janë në dyert e një sistemi drejtësie jofunksionale e për pasojë duhej të ishte kërkuar shtyrje e afatit.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.