Fatura e strehimit social – Parashikohen 6 programe, 60.55 mln lekë për Regjistrin Kombëtar
Projektligji “Për strehimin social”, që ka nisur të diskutohet në kuvend, shoqërohet me një faturë të lartë financiare për buxhetin e shtetit dhe njësitë e qeverisjes vendore. Përveç financimit të 6 programeve, ai parashikon kosto shtesë për ngritjen e Regjistrit Kombëtar të Strehimit në masën e 60,55 mln lekësh, dispozitat tranzitore dhe trajnime për punonjësit.
Kështu, për programin e banesave sociale me qira është përllogaritur që për ndërtimin e një godine 6-katëshe duhen afërsisht 237 milion lekë. Për këtë program paraqiten kosto edhe për subvencionin e qirave si për banesat në pronësi të bashkive ashtu edhe për banesat që merren me qira në treg të lirë nga individi apo familja.
Programi i dytë përfshin përshtatjen dhe përmirësimin e kushteve të objekteve dhe banesave, ku parashikohet që për një banesë, financimi të jetë rreth 2.8 mln lekë.
Programi i banesave me kosto të ulët do të vazhdojë të financohet me fonde të Entit Kombëtar të Banesave në varësi të trojeve të lira të vëna në dispozicion nga bashkitë. Sipas relacionit, kostoja financiare për këto pagesa aktualisht nuk është e mundur të llogaritet, por referuar të dhënave, për vitin 2017 fondi i miratuar ishte 250 mln lekë.
Një tjetër program, që parashikohet në projektligj është ai për zhvillimin e zonës me qëllim strehimi, që përfshin përgatitjen e truallit me infrastrukturë, hartimin dhe miratimin e projektit të ndërtimit, deri në përfundimin e tij. Kostot për këtë program do të bazohen në tarifat për hartimin e miratimin e projekteve, që llogariten rreth 10 – 15% të vlerës së investimit.
Për 2 programet e tjerë, që janë streha e përkohshme dhe ai i banesave të specializuara nuk ka një faturë konkrete, ndonëse është vlerësuar që ata të realizohen me donatorë.
Ola Mitre/SCAN
Qeveria miraton 6 programet sociale të strehimit – Ja çfarë përfshijnë dhe kush mund të përfitojë
pr.ligji për “Strehimin social”- Shteti garant mes individit dhe bankës, kushte të reja për investitorët
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.