Faturat aforfe të ujit – Kuvendi, ERRU-së: Monitoroni ujësjellësit që të mos abuzojnë
Kuvendi i kërkon Entit Rregullator të Ujit të monitorojë nga afër shoqëritë e ujësjellës kanalizime, në mënyrë që të mos abuzohet me vendosjen e ujëmatësve, por edhe në shmangien e faturimeve aforfe. Komisioni i Veprimtarive Prodhuese miratoi rezolutën për veprimtarinë e këtij institucioni, ku gjithashtu kërkohet rritja e transparencës, kryesisht në ndryshimin e tarifave.
Ndërkaq, në kuadër të mbrojtjes së konsumatorit kërkohet që ERRU të punojë për rishikimin dhe saktësimin e kritereve të metodologjisë për përballueshmerinë, duke i kushtuar vëmendje të veçantë kategorive me të ardhura të ulta.
Gjithashtu, rezoluta e kuvendit kërkon marrjen e masave administrative për të gjitha ndërmarrjet që nuk plotësojnë kushtet për të ushtruar veprimtarinë e tyre të furnizimit me ujë dhe për pasojë sjellin cenimin e drejtpërdrejtë të standardeve për konsumatorët.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.