“Faturim informativ për eficencën e energjisë”. Agjencia hap tenderin, duhet dërguar 1 herë në vit te konsumatorët
Operatorët apo furnizuesit e energjisë një herë në vit do të duhet t’u shpërndajnë konsumatorëve të tyre një faturë që specifikon konsumin në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm si dhe propozimin e masave që mund të ndërmerren nga klienti në mënyrë që të pakësohet konsumim. Gjithçka do të kryhet në kuadër të masave për kursimin e energjisë, teksa Agjencia për Eficencën e Energjisë ka hapur edhe një tender për faturimin informativ, fushatat e ndërgjegjësimit, edukimit dhe trajnimit për Efiçencën e Energjisë. Fondi limit i vënë në dispozicion është 25 mln lekë, ndërkohë që kompania fituese do të duhet të ndërmarrë një sërë hapash për promovimin e kursimit të energjisë. Projekti pilot do të aplikohet fillimisht në Tiranë, teksa në dokumentet shoqëruese të tenderit, saktësohet se fatura informative duhet të përfshijë edhe informacion se ku mund të merren këshilla për konsumin e energjisë në mënyrë efiçiente, si dhe rekomandohet të vendoset një numër telefoni jeshil (pa pagesë). Sipas dokumenteve shoqëruese të tenderit, në vitin 2017, konsumi përfundimtar i energjisë në stokun e ndërtesave ishte sa 15% i konsumit të përgjithshëm kombëtar. Gjithashtu, sektori Ndërtesave private dhe Publike së bashku, ishte përgjegjës për 70% të sasisë së energjisë elektrike në konsumin përfundimtar të energjisë. Gjithsesi, shërbimet e lidhura me energjinë në ndërtesat publike, janë të një cilësie mjaft më të ulët se të njëjtat shërbime energjetike të vendeve të Bashkimit Evropian. Zakonisht, ndërtesat publike në Shqipëri ngrohen pjesërisht dhe një pjesë fare e vogël e tyre ftohen për pak orë gjatë ditës. Në shumë ndërtesa publike ngrohja eshtë e limituar dhe ftohja është një luks. Sasitë e energjisë që furnizojnë ndërtesat Publike, megjithëse planifikohen, në thelb shprehin varfëri energjetike edhe atje ku standardet e ndërtimit janë relativisht të larta.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.