FCA tërheq 1.6 mln makina – “Mallkimi” i “Takata” me jastëkët e ajrit vazhdon
Fiat Chrysler po tërheq nga tregu 1.6 milionë autovetura, për të zëvendësuar kështu air-bagët difektozë, të prodhuara nga Takata, kompania japoneze e cila në vitin 2017 përfundoi në faliment si pasojë e mega skandalit që çoi në tërheqjen më të madhe të makinave nga tregu amerikan në histori.
Jastëqet e ajrit në autoveturat në fjalë janë të instaluara në krah të pasagjerit. Fiat Chrysler sqaron se, ato nuk janë instaluar në asnjë prej linjave të automjeteve aktualisht në prodhim.
Kjo është faza e 5-të e tërheqjes së autoveturave difektoze nga tregu, që lidhet me jastëqet e ajrit. Procesi është në koordinim me administratën amerikane.
1.4 milionë makina janë në SHBA, 88 mijë në Kanada, 12.800 në Meksikë dhe 118 mijë jashtë zonës së ashtuquajtur Nafta.
Modelet në fjalë janë prodhim i viteve 2010-2016 e kryesisht të markës Dodge por edhe Jeep apo Chrysler.
Deri më sot, FCA sqaron se ka riparuar 4 milionë automjete. Vështirësi të mëdha ka pasur edhe me bindjen e klientëve për të zëvendësuar pjesën difektoze, paçka se është pa para. “Mallkimi” i Takata-s nuk ka kursyer thuajse asnjë prej prodhuesve të mëdhenj.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.