FED bën detyrën – Rrit normën bazë të interesit në 1.5-1.75%, përditëson projeksionet
Rezerva Federale në Shtetet e Bashkuar rriti normën bazë të interesit këtë javë dhe projektoi të paktën 2 ndërhyrje të tjera për vitin 2018, duke theksuar se reduktimet tatimore dhe shpenzimet qeveritare do t’i japin nxitje ekonomisë dhe inflacionit, gjë që do të sjellë një tkurrje më të shpejtë monetare në të ardhmen.
Në takimin e parë të politikave monetare nën kryetarin e ri, Jerome Powell, banka qendrore në SHBA bëri të ditur se ekonomia ka fituar vrull dhe inflacioni do të nisë rritjen, ndërkohë që ka qëndruar poshtë objektivit prej 2% në vitet e fundit.
“Tregu i punës qëndron i fortë, ekonomia ka fituar vrull dhe inflacioni pritet të arrijë objektivin afat-gjatë prej 2% të bankës. Ne vendosëm të rrisim normën e interesit me 25 pikë bazë, në 1.5-1.75%”.
Rezerva Federale rriti gjithashtu vlerësimin për normën “neutrale”, që është niveli në të cilin politikat monetare nuk japin më nxitje apo ngadalësim ndaj ekonomisë, gjë që nënkupton se cikli i tkurrjes monetare mund të vazhdojë për një kohë më të gjatë.
Powell, që zëvendësoi Janet Yellen në Shkurt, bëri të ditur se banka qendrore do t’i ndjekë ritmin gradual të tkurrjes monetare. Komisioni Federal i tregut të hapur projektoi një rritje prej 2.7% të ekonomisë në vitin 2018, nga 2.5% që priste në Dhjetor.
Treguesi i sistemit bankar qendror mbi inflacionin pritet të arrijë në 1.9% në fund të 2018-ës, i pandryshuar. Mbi papunësinë, zyrtarët e Rezervës Federale presin një normë prej 3.8% deri në fund të 2018-ës, duke treguar se ka ende hapësirë për fuqizimin e tregut të punës.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.