FED do të reduktojë bilancin, gjatë vitit pritet të ulen riinvestimet në letrat me vlerë
Politikëbërësit e Sistemit Bankar Qendror në SHBA mendojnë se institucioni duhet të nisë shkurtimin e bilancit gjigant prej 4.5 trilionë dollarë më vonë gjatë vitit, ndërkohë që të dhënat ekonomike vazhdojnë në këtë ritëm të fortë. Kjo tregohet në procesverbalin e takimit të Rezervës Federale në muajin Mars, ku politikëbërësit, me 9 vota pro dhe 1 kundër, vendosën të rrisin normën bazë të interesit.
Sipas dokumentit, Komisioni Federal i Tregut të Hapur zhvilloi një diskutim edhe mbi uljen e riinvestimeve në pagesat e principalit të letrave me vlerë të kolateralizuara (MBS reinvestment), çka do të reduktojë bilancin.
Çdo muaj, Sistemi i Llogarisë së Tregut të Hapur (SOMA), merr pagesa të principalit për letrat me vlerë që zotëron, të cilat, nëse nuk riinvestohen, do të reduktonin përmasën e portofolit. Kjo politikë i mban kushtet financiare akomoduese.
“Duke marrë parasysh se ekonomia do të performojë me këtë ritëm, politikëbërësit presin që rritja graduale e normës së interesit do të vazhdojë dhe mendojnë se ndryshimi i politikave të riinvestimit do të ishte e përshtatshme më vonë gjatë vitit”, shkruhet në procesverbal.
Të dhënat u reflektuan te dollari amerikan dhe te titujt e kapitalit, që patën rënie të madhe ditën e djeshme. Rezerva Federale ka blerë letra me vlerë të mbështetura me kredi hipotekore dhe tituj të thesarit në përmasa gjigante gjatë krizës financiare.
Politikëbërësit thanë se planet për reduktimin e portofolit përfshijnë dhe lënien e titujve të borxhit që të maturojnë, pa riinvestuar te këto, ndërkohë që norma e interesit rriten. Ekonomistët e presin këtë ndryshim në takimin e muajit Dhjetor 2017. Një muaj më parë, Banka rriti normën bazë të interesit në një segment prej 0.75-1% dhe zyrtarët thanë se priten 2 rritje të tjera këtë vit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.