“FED është çmendur” – Trump shpreh hapur mospëlqimin, cenon pavarësinë e institucionit
Presidenti i SHBA, Donald Trump, vazhdoi sulmin kundër Rezervës Federale, duke ndërhyrë te vendimet e Bankës Qendrore dhe e fajësuar për tronditjen në tregjet e kapitalit ditën e Mërkurë.
Ai tha se nuk është i kënaqur me bankën dhe se nuk kupton vazhdimin e tkurrjes monetare në Shtetet e Bashkuara. Presidenti ka shprehur edhe më parë mospëlqim ndaj bankës qendrore, gjë që ka shtuar shqetësimet mbi pavarësinë e institucionit.
“Problemin e kam me Rezervën Federale. Nuk e di se çfarë problemi kanë ata që po rrisin normat e interesit, por është qesharake. Rezerva Federale po çmendet dhe nuk ka arsye se ta bëjnë”, tha Donald Trump.
Pavarësisht se shprehu shqetësim ndaj politikave monetare, Trump tha se Shtëpia e Bardhë nuk ka kontaktuar me kryetarin e Rezervës Federale, jerome Powell.
“Nuk dua të përfshihem me ata. Nuk kam folur me Poëell fare këtë vit”, tha Trump. Megjithatë, pas rënies së pjerrët të bursave ditën e Mërkurë, Trump tha se banka qendrore po bën gabim dhe se është “çmendur”.
Rezerva Federale ka rritur normat e interesit 3 herë këtë vit dhe pritet të bëjë 1 tjetër ndërhyrje në Dhjetor. Nga ana tjetër, shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde tha se nuk i lidh vendimet e Jerome Powell me çmenduri. “Në të gjithë botën, është një parim që Banka Qendrore të ketë pavarësi”, tha Lagarde.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.