FED i përgjigjet Trump – Powell: Ekonomia është e fortë, do ketë rritje të normave të interesit
Kreu i Rezervës Federale, Jerome Powell, mbrojti politikat e institucionit të cilin ai drejton, nga kritikat e Presidentit amerikan, Donald Trump. Ky i fundit i bëri apel Bankës Qendrore që të mbajë politika monetare akomoduese, duke shtuar se duke ndjekur kahun shtrëngues institucioni nuk po mbështet ekonominë amerikane, ashtu siç ka për detyrë.
Sipas kreut të Rezervës Federale ndërkohë, i zgjedhur vetëm pak kohë më parë nga vetë Donald Trump, normat e interesit do të rriten gradualisht në emër të një ekonomie më të shëndoshë. Powell sinjalizoi kështu një rritje të mëtejshme të normave, pavarësisht kriticizmit të Trump. Rezerva Federale i ka rritur deri më tani dy herë normat e interesit gjatë këtij viti dhe pritet të veprojë njësoj edhe në takimin e Nëntorit dhe atë të Dhjetorit.
“Ekonomia është e fortë. Inflacioni është pranë objektivit të 2% dhe shumica e njerëzve që duan një punë, e gjejnë atë. Nëse rritja e fortë në të ardhura dhe tregun e punës vazhdon, do të ketë rritje të mëtejshme të normave me shumë gjasa”-shtoi numri një i Rezervës Federale.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.