Fed mban interesat pranë zeros / Tregon durim përballë rritjes së yieldit. Rrit projeksionet ekonomike
Rezerva Federale në Shtetet e Bashkuara, lajmëroi se do të mbajë normën bazë të interesit të pandryshuar, në një nivel rekord të ulët pranë zeros, ndërkohë që debati mbi inflacionin ka marrë vrull, prej progresit me vaksinimin dhe paketës gjigante të stimujve. Bordi i Guvernatorëve i sistemit bankar qendror më të madh në botë, votoi në mënyrë unanime për të mbajtur normën bazë të interesit në nivelin ekzistues prej 0-0.25%. Treguesit mbi aktivitetin ekonomik dhe punësimin janë rritur së fundmi, pavarësisht se sektorët më të goditur nga pandemia qëndrojnë të dobët, sipas deklaratës së Fed, pas takimit 2-ditorë të politikave monetare.
Zyrtarët e bankës presin që ekonomia amerikane të rritet me 6.5% këtë vit, sipër projeksionit prej 4.2% në Dhjetor. Shumica e politikëbërësve presin që interesat të qëndrojnë pranë zeros të paktën deri në vitin 2023, ndërsa 7 nga 18 anëtarë presin një rritje në atë vit.
Banka theksoi se do vazhdojë programin e blerjes së titujve të borxhit, me të paktën 120 miliardë dollarë obligacione në muaj, duke rritur zotërimet e letrave me velrë të thesarit me të paktën 80 miliard dollarë dhe të letrave me vlerë të mbështetura me kredi hipotekore, me të paktën 40 miliardë dollarë. Në tregun e punës, kushtet janë përmirësuar së fundmi, por punësimi është ende 9.5 milionë poshtë nivelit të para pandemisë, sipas kryetarit të bankës, Jerome Powell. Banka projektoi një normë të papunësisë prej 4.5% në fund të këtij viti dhe një rënie në 3.5% deri në vitin 2023.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.