FED qetëson tregjet – Powell: Rritja ekonomike nuk do të ndalojë
Kryetari i Rezervës Federale, Jerome Powell, tha se banka qëndron e hapur për ulje të mëtejshme të interesave për t’i bërë ballë rreziqeve, duke përsëritur gatishmërinë e bankës për të mbështetur ekonominë amerikane.
“Ekonomia po tregon shenja të ngadalësimit”, tha ai, duke shtuar se është normale që periudhat e gjata të rritjes ekonomike të kenë momente të tilla. Dy herë në vitet 90, ekonomia u ngadalësua në mënyrë të ngjashme, por rifituar përsëri vrull pasi Rezerva Federale uli interesat disa herë, sipas Jerome Powell.
Sistemi bankar qendror në SHBA ka ulur 2 herë normat e interesit këtë vit, në Korrik dhe Shtator, për të mbështetur punësimin dhe nxitur inflacionin. “Rritja ekonomike po ri-fuqizohet dhe nuk ka arsye se pse të ndalojë”, tha Jerome Powell.
Ai shtoi se rishikimet e fundit të të dhënave tregojnë se rritja e punësimit është ngadalësuar. Të dhëna të tjera ekonomike, përfshirë tkurrjen e aktivitetit të manifakturës, sinjalizojnë një humbje të vrullit.
Analistët thonë se Powell kërkon t’i vërtetojë tregjeve se Rezerva Federale është në dijeni të rreziqeve dhe është e gatshme për të hequr barrierat ndaj rritjes më të gjatë ekonomike në historik.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.