FED vazhdon tkurrjen monetare – Rrit normën bazë në 1-1.25%, shpalos planet për reduktimin e bilancit
Rezerva Federale në SHBA rriti normën bazë të interesit për të dytën herë këtë vit dhe për të katërtën në 1 dekadë, dhe tha se do të nisë reduktimin e zotërimeve të titujve të borxhit dhe instrumenteve të tjera këtë vit, duke treguar besim te ekonomia amerikane.
Duke rritur normën bazë me 25 pikë bazë në segmentin 1-1.25% dhe duke projektuar një rritje tjetër për këtë vit, Institucioni duket se ka larguar shqetësimet e fundit mbi ekonominë. Komisioni Federal i Tregut të Hapur deklaroi se ekonomia ka vazhduar të fuqizohet, vendet e punës janë shtuar dhe bëri të ditur se rënia e fundit e inflacionit është e përkohshme.
Banka dha gjithashtu detajet e para për reduktimin e portofolit prej rreth 4.5 trilionë dollar të titujve të Thesarit dhe letrave me vlerë të kolateralizuara, ku pjesa më e madhe e të cilave janë blerë gjatë krizës financiare. Sistemi Bankar Qendror i SHBA pret që normalizimi i bilancit të nisë këtë vit, duke fituar vrull gradualisht. Plani, që përfshin ndalimin e riinvestimeve në letrat me vlerë që maturojnë, nuk specifikojë vlerën totale të reduktimit.
“Presin të reduktojmë rezervat dhe bilancin në total në një nivel poshtë atij të viteve të fundit, por sipër nivelit përpara krizës financiare”, tha kryetarja e bordit të guvernatorëve Janet Yellen. Tavani fillestar për reduktimin e zotërimeve të Thesarit do të caktohet në 6 miliardë dollarë në muaj, duke u shtuar po me $6 mld çdo tremujor deri sa të arrijë në 30 miliardë dollarë në muaj.
Për letrat me vlerë të mbështetura me kredi hipotekore, tavani do të jetë në 4 miliardë dollar në muaj fillimisht, duke u rritur po me $4 mld çdo tremujor, deri sa të arrijë në vlerën e 20 miliardë dollarëve për muaj.
Titujt amerikanë të kapitalit ranë ndërsa çmimet e titujve të thesarit u rritën, pas deklaratës së Rezervës Federale. Dollari mbeti i pandryshuar kundrejt shportës së valutave kryesore duke lënë pas humbjet e mëparshme, ndërsa çmimi i arit ra. Analistët thonë se duke marrë parasysh mos-ngurrimin në vazhdimin e ciklit tkurrës monetar, reduktimi i bilancit dhe rritja e normës bazë të interesit mund të vijnë njëkohësisht.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.