“Fëmijët s’ishin prioritet i qeverisë” – UNICEF, Gvineria: Gjatë izolimit shërbimet u ndërprenë, dhuna nuk u raportua

104 shtete në të gjithë botën raportuan ndërprerjen e shërbimeve të lidhura më dhunën ndaj fëmijëve gjatë pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, pjesë e të cilëve është edhe Shqipëria. Në një prononcim për TV SCAN, specialisti për sektorin e mbrojtjes së fëmijëve në UNICEF, David Gvineria bëri me dije rezultatet e Anketës mbi Ndikimin Socio-Ekonomi të COVID-19, ku mori pjesë edhe vendi ynë.
Sipas specialistit të UNICEF, mbyllja solli mos raportimin e dhunës, teksa për periudhën e karantinës u regjistruan 2 herë më pak raste se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Eksperti thotë se të gjithë vendet nuk ishin të përgatitu për këtë krizë, por disa prej tyre reaguan në kohë për përballimin e saj e të tjerë jo. Shqipëria bën pjesë në kategorinë e dytë, ku sipas UNICEF, fëmijët nuk ishin prioritet gjatë situatës së krijuar nga COVID-19.
Gvineria bën me dije se qeverisë shqiptare iu kërkua mbështetje financiare, mjete mbrojtëse për punonjësit sociale si dhe për punonjësit e institucioneve rezidenciale, që janë në vijën e parë të rrezikut por pavarësisht kësaj nuk u vu re ndonjë reagim.
Aktualisht, ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka kërkuar mbështetjen e UNICEF për hartimin e një plani veprimi për dhunën seksuale ndaj fëmijëve, që do të jetë gati në muajin shtator. Ndërkohë që, kosto paraprake për zbatimin e tij kap vlerën e 500 mijë USD.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.