Fermerët “peng” të pronësisë – Braçe propozon zgjidhje! Peleshi: Drafti, gati brenda vitit!
Deputetit socialist Erion Braçe ka propozuar dy iniciativa që synojnë të pajisin me certifikatë pronësie fermerët që tashmë e kanë tokën në përdorim, por që ligji i pengon.
Propozimet prekin kategorinë e atyre që janë vendosur në territorin e ish-ndërmarrjeve bujqësore pas 1 Gushtit 1991 dhe të atyre që janë zhvendosur me vendim të Këshillit të Ministrave.
Komisioni parlamentar i ligjeve ka shqyrtuar iniciativat, ndërsa Ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi ka bërë me dije se brenda vitit do të jetë gati një draft ligjor që do të adresojë të gjitha problematikat e bujqësisë si dhe këto dy shqetësime.
Por deputeti socialist ka kërkuar që drafti të jetë gati brenda muajit Nëntor, pasi në fund të vitit fermerëve u mbaron drejta për tu pajisur me certifikatë pronësie.
Komisioni ka vendosur që diskutimi të mbetet i hapur ndërsa Ministrisë së Bujqësisë i është kërkuar që brenda datës 24 Nëntor të paraqesë draftin e kompletuar që u hap dritën jeshile zgjidhjes së këtyre problematikave.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.