Festat e fundvitit, Drejtoresha e Kufirit: Gatishmëri të plotë, janë shtuar sportelet për të eliminuar radhët
Në kuadër të festave të fundvitit janë marrë një sër masash nga Departamenti për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit, me qëllim për të krijuar sa më shumë lehtësira ligjore shtetaseve që qarkullojnë nëpërmjet pikave të kalimit, me qëllim shmangien e radhëve të gjata, forcimin e kontrollit si në pikat e kalimit ashtu dhe në kufirin jeshil e blu.
Drejtoresha e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin Aida Hajnaj gjatë inspektimit të masave të marra në pikat kufitare, shprehu gatishmërinë e plotë të policisë.
“Jemi në Kakavijë, për të parë nga afër zbatimin e masave shtesë të marra me qëllim që t’ju ofrojmë një shërbim cilësor e në kohë të gjithë shtetasve vendas e të huaj, turistëve e vizitorëve.
Në këtë kuadër në të gjitha pikat e kalimit, porte e aeroportin e Rinasit janë shtuar sportelet për të eliminuar radhët dhe për t’ju krijuar lehtësirat ligjore.
Është marrë kontakt me homologët e palës greke, të Maqedonisë, Kosovës për të koordinuar veprimet me qëllim sigurimin e lëvizjes së njëtrajtshme nga të dyja krahët si në hyrje ashtu dhe në dalje.
Nga kontaktet e marra kemi siguruar një bashkëpunim të mirë me homologët të cilët kanë shtuar edhe ata sportelet”.
Një tjetër masë e marrë nga policia kufitare është ai i forcimit të kontrollit në kufirin jeshil.
“Kemi shtuar prezencën e patrullave në kufi. Kemi koordinuar veprimet me homologët që të kemi edhe patrullime të përbashkëta me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e çdo veprimtarie kriminale që mund të tentojë të kryhet nëpërmjet kufirit jeshil e blu.
Në bashkëpunim me autoritet doganore kemi forcuar kontrollin në pikat e kalimit për parandalimin dhe goditjen e trafikut të lëndëve narkotike, ku mund të përfitojnë nga fluksi i hyrje- daljeve.
Po bashkëpunojmë e bashkërendojmë veprimet me DVP në qarqe për të parandaluar evidentuar dhe goditur çdo tentative për trafiqe të paligjshme”.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.