Festë pa gëzim – 1/4 e fëmijëve shqiptarë vuan kequshqyerjen, norma më e lartë në Europë
1 Qershori njihet ndërkombëtarisht si dita e fëmijëve. E ndërkohë që fëmijët festojnë, për të rriturit, e sidomos për politikbërësit duhet të jetë dita e reflektimit.
Shumë fëmijë nëpër botë vuajnë dhe shifrat janë alarmante, raporti i fundit i “Save the children”, me titull “Fundi i fëmijërisë”, thotë se, thuajse 1 në 4 fëmijë shqiptarë, ose më saktë, 23.1%, vuajnë kequshqyerjen e rëndë.
Kjo normë bën që, Shqipëria të renditet e 77-ta në botë, ndër 175 shtete më indeksin e fëmijëve për 2018. Kjo renditje e vendos vendin tonë të parafundit në Europë, më mirë vetëm se Moldavia.
Sa i përket kequshqyerjes së rëndë ndërkohë, asnjë vend tjetër në Europë nuk ka një normë kaq të lartë se vendi ynë, duke bërë që situata të jetë realisht alarmante, pasi Shqipëria renditet krah vendeve afrikane dhe disa vendeve të Amerikës Latine.
Në të gjitha vendet e tjera të rajonit, norma zbret nën 10%. Në renditjen e një viti më parë ndërkohë, Shqipëria zinte vendin e 71-të, çka përkthehet në një përkeqësim me 6 pozicione në indeksin e përgjithshëm.
Norma e kequshqyerjes ndërkohë, prej 23.1% mbetet e pandryshuar. Të dhëna të tjera ndërkohë, tregojnë se, 5.1% e fëmijëve shqiptarë, ose më saktë 1/20, punon.
Të qenit të parafundit në Europë sa i përket standardit të jetesës së fëmijëve dhe me 1 në 4 prej tyre që vuajnë kequshqyerjen, si askush tjetër në kontinentin e vjetër, duhet të shërbejë realisht si një kambanë alarmi.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.