Festohet sot 105 vjetori i shpalljes së “Pavarësisë”. Liderët nga Shqipëria dhe Kosova mesazhe urimi
Shqiptarët festojnë sot 105 vjetorin e Ditës së Pavarësisë. Më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali dhe udhëheqësit tjerë shqiptarë nga të gjitha vendbanimet shqiptarë ngritën flamurin në Vlorë, duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur.
Konkretisht në nder të Ditës së Pavarësisë, Lulzim Basha në një postim në rrjetin social Facebook iu ka uruar shqiptarëve “28 Nëntorin”, ku ndër të tjetra në postim shkruan:
“Ju uroj të gjithë shqiptarëve kudo ku janë “GËZUAR 28 NËNTORIN”! Sot përkulemi me respekt dhe mirënjohje të thellë kombëtare para heronjve të lirisë dhe pavarësisë, të bindur se beteja për Shqipërinë demokratike dhe evropiane është nderimi më i madh për sakrificat e tyre, thirrja më e lartë për çdo shqiptar. Zoti e bekoftë Shqipërinë!”, shkruan Basha.
Basha ka zhvilluar gjithashtu homazhe tek “Varrezat e Dëshmorëve”, ndërkohë nga ana tjetër Bashkia e Tiranës ka vendosur kurora me lule te “Monumenti i Pavarësisë”. Ndërkohë me rastin e festave të 28 dhe 29 Nëntorit, Kuvendi i Shqipërisë hap dyert për qytetarët
“Me rastin e festave të 28 dhe 29 Nëntorit, nga ora 10:00 deri në orën 14:00, Kuvendi i Shqipërisë organizon aktivitetin “Dyert e Hapura” pranë sallës së seancave plenare. Përgjatë dy ditëve, dyert e sallës së seancës plenare do të jenë të hapura për qytetarët të cilët mund të vizitojnë nga afër ambientet ku zhvillohen punimet e Kuvendit në seancë plenare”, thuhet në njoftimin e Kuvendit
Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro gjithashtu ka uruar festën e Pavarësisë së Shqipërisë po nëpërmjet një postimi në Facebook.
“Çdo vit e në të njëjtën datë, me përulje për ata burra e me përgjegjësi -edhe personale si stërmbesë e delegatit të Gjirokastrës Elmas Efendi Boce, firmëtar i Pavarësisë, – për çka na lanë.”
“Gëzuar ditëlindjen e flamurit! Gëzuar ditëlindjen Adem Jashari! Kjo është dita që flet shqip!” është urimi i ministrit Pandeli Majko për festën e Pavarësisë.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka postuar në profilin e tij në Facebook një urim në kuadër të festave të Nëntorit. Krahas urimit të tij për 105 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, ai ka sjellë në vëmendje edhe ditëlindjen e Adem Jasharit, si dhe daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Nëntori i ka dhënë gjithmonë shpirt historisë sonë. Por, krenaria kombëtare, lidhja shekullore dhe vendosmëria e popullit tonë, më së miri përbashkohen rreth Flamurit Kombëtar më 28 Nëntor. Bashkë me 105 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, ne sot e festojmë edhe ditëlindjen e komandantit tonë të madh, Adem Jashari, si dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prandaj gjithë shqiptarëve anekënd botës, ua uroj festat e krenarisë dhe lavdisë sonë kombëtare.
Ky muaj historik na ka dhënë gjithnjë guxim e forcë për ta shpallur edhe Republikën e Kosovës.
Dhe sot, simotra të pandashme, Kosova e Shqipëria qëndrojnë të bashkuara edhe rreth agjendës evropiane. Ishim, jemi dhe do të jemi gjithmonë bashkë! ”
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka marrë mbrëmë një mesazh urimi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ku shkruhet:
“I dashur Zoti President,
Ndërsa ju festoni 105-vjetorin e Pavarësisë më 28 Nëntor, populli i Shteteve të Bashkuara më bashkohet në urimin për popullin shqiptar. Në këtë ditë ne konfirmojmë miqësinë tonë të fortë dhe përkushtimin ndaj Shqipërisë si dhe presim që ta fuqizojmë edhe më tej këtë marrëdhënie gjatë viteve të ardhshme.
Dy kombet tona kanë zhvilluar një bashkëpunim të thellë që na ka lejuar të punojmë së bashku për të trajtuar çështje me rëndësi globale. Ju falënderojmë për rolin tuaj si partner vendimtar në promovimin e qëndrueshmërisë rajonale dhe luftën kundër ekstremizmit si dhe mbështetjen tuaj anembanë botës si një Aleat i NATO-s dhe vend anëtar i kolacionit për Shkatërrimin e ISIS-it.
Këtë vit mirëpritëm zbatimin nga ana e Shqipërisë të reformave kyçe të drejtësisë, të cilat e kanë sjellë vendin më afër qëllimit për të hyrë në Bashkimin Evropian dhe bashkëpunimit më të madh rajonal. Ne e lavdërojmë përparimin që ka shënuar Shqipëria në drejtim të integrimit euro-atlantik dhe të sigurimit të paqes e begatisë për të gjithë shqiptarët.
Jemi bashkë me ju teksa festoni këtë ditë të veçantë dhe iu uroj Ju dhe popullit shqiptar gjithë të mirat gjatë vitit të ardhshëm!” – shkruhet në mesazhin e urimit të Presidentit Trump.
Po ashtu urimeve i është bashkuar edhe Sekretari Amerikan i Shtetit Rex Tillerson ku i shprehu urimet popullit të Shqipërisë me rastin e 105 vjetorit të pavarësisë.
“Shqipëria është mike dhe aleate e çmuar dhe Shtetet e Bashkuara presin përparimin tuaj të pandalur drejt integrimit më të madh euroatlantik dhe anëtarësimit në BE,” shkruan zoti Tillerson.
Më tej në urimin e Sekretarit të Shtetit thuhet: “Ne e vlerësojmë thellë ndihmesën e Shqipërisë në NATO dhe në Koalicionin për Mposhtjen e ISIS-it si dhe nxitjen e stabilitetit rajonal nga ana juaj. Ne përgëzojmë Qeverinë e Shqipërisë për përpjekjet e saj të vazhdueshme për të zbatuar reformat e rëndësishme, përfshirë reformën e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit të zyrtarëve publikë dhe luftën kundër krimit të organizuar. Këto janë hapa të rëndësishëm për të siguruar një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë për njerëzit tuaj.”
Ndërkohë, një tjetër urim vjen nga qyteti i Vlorës nga kryeministri Edi Rama, i cili ka uruar shqiptarët për 105 vjetorin e Pavarësisë.
“Të gjithë shqiptarëve kudo janë nga Vlora u uroj GËZUAR 105 VJETORIN E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË.”
G.D/O.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.