Fillojnë konsultimet për zgjedhjet parlamentare. Meta fton partitë për të caktuar datën, SHBA: Kujdes me kandidatët
Fillimi i muajit shtator shënon hapjen e sezonit politik, që pritet të jetë intensiv për shkak se 2021 është një vit elektoral. Ditën e sotme ishte presidenti i Republikës, Ilir Meta, që në letrën dërguar të gjitha partive politike në vend, ju bën thirrje që të fillojnë konsultat për vendosjen e datës së zgjedhjeve parlamentare të 2021. Presidenti i ka ftuar drejtuesit e partive politike që në datën 4 shtator ora 11, të shkojnë në presidencë dhe të caktojnë një datë konsensuale për mbajtjen e zgjedhjeve. Deri më tani nga partitë politike, vetëm partia socialiste ka deklaruar se data e preferuar është 10 maji, ndërkohë partitë e tjera nuk kanë përcaktuar data.
Po ditën e sotme ambasadorja amerikane, Yuri Kim, ju ka dërguar një letër 3 partive kryesore në vend, duke ju bërë thirrje që të tregojnë kujdes në përzgjedhjen e kandidatëve për deputet për zgjedhjet parlamentare të 2021. Në letrën e saj ambasadorja shkruan: “Mbani përgjegjësi për kandidatët. Kandidatët për deputetë të kenë integritet moral, të mos jenë subjekt për ligjin e dekriminalizimit. Kryetarët, rol kryesor në mbajtjen jashtë listave të njerëzve të korruptuar. SHBA është e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit”, shkruan Kim. “Në ligjin e dekriminalizimit thuhet qartë se personat e dënuar më parë brenda apo jashtë vendit, apo kanë rekorde kriminale, nuk mund të zgjidhen në poste publike. Shumë deputetë apo kryetarë bashkish kanë dhënë dorëheqjen nga ky ligj, ose janë duke u hetuar. Ne si ambasadë amerikane do të vijojmë ti publikojmë ato emra të individëve që do të akuzohen për korrupsion”, përfundon letra.
Arbër Hitaj / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.