Finalizohet operacioni policor i koduar “Informaliteti”- Në pranga 15 administratorë
Operacioni nga Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Hetimin Tatimor, ka vënë në pranga 15 administratorë të shoqërive dhe kompanive të ndryshme. Ndalimi i këtyre administratorëve është bërë pasi këta shtetas me aktivitete të ndryshme ekonomike si:
Ndërtime konstruksion godinash , ndërtime të ndryshme, import,eksport, tregtim me shumicë e pakicë të mallrave të ndryshme industrial, ushqimore, makineri e pjesë këmbimi, pajisje elektrike, elektronike, hidraulike, lëndë të para, materiale ndërtimi kanë kryer shitje dhe blerje të faturave fiktive në total në vlerën e rreth 183 mijë lekëve dhe TVSH në vlerën e rreth 25 mijë lekëve të reja. Shitjet janë kryer vetëm tek një subjekt tregtar për të cilin nuk jepen të dhënat për arsye hetimi. Nga analizimi i librave të blerjes rezultoi se shoqëria në total nuk ka kryer asnjë blerje ose importe sipas deklarimeve të subjektit në organin tatimor. Subjekti gjithashtu nuk ka bërë asnjë deklarim tjetër në organin tatimor.
Në kuadër të këtij procedimi janë shpallur disa shtetas në kërkim, ku për arsye hetimore nuk jepen të dhëna të tjera. Materialet proceduriale ju kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, në ngarkim të shtetasve të mësipërm, për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, si dhe “Fshehje e të ardhurave’’.
Elefteria Zguri/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.