Finalizohet tenderi 800 Mhz – Buxheti arkëton edhe 7.441 milionë euro të tjera
Telekom Albania është pajisur zyrtarisht me autorizim individual në brezin 800 Mhz. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka finalizuar procesin javën e kaluar, pasi operatori bëri pagesën prej 7 milionë e 441 mijë eurosh në llogarinë e qeverisë shqiptare. Telekom do të ketë të drejtë të përdorë frekuencat në fjalë për një afat prej 15 vjetësh.
Telekom paraqiti ofertën e vetme në hapjen e ofertave të tenderit të organizuar nga AKEP, më datë 9 shtator dhe bëhet operatori i dytë që merr të drejta përdorimi në këtë brez, pas Vodafone Albania. Dy tenderat e zhvilluar për dhënien e frekuencave në brezin 800 Mhz i kanë sjellë qeverisë shqiptare të ardhura në vlerën e rreth 14.9 milionë eurove.
Brezi 800 Mhz do të shfrytëzohet nga operatorët celularë për të rritur kapacitetet e transmetimit të internetit me brez të gjerë nga rrjetet e tyre. Statistikat e AKEP tregojnë se përdorimi i internetit nga rrjetet e lëvizshme është në rritje të vazhdueshme. Sipas të dhënave të tremujorit të dytë, çdo përdorues i rrjeteve celulare konsumon mesatarisht 3 Gb internet në muaj. Interneti është padyshim shërbimi me potencialet më të madhe të rritjes në tregun e shërbimeve të lëvzshme dhe nevojat e operatorëve për spektër janë gjithmonë në rritje. Këto shërbime tashmë janë të orientuara drejt gjeneratës së ardhshme, 5G dhe disa shtete tashmë i kanë dhënë në përdorim frekuencat për këtë qëllim. Shqipëria synon ta nisë këtë rrugë vitin e ardhshëm, por një nga brezat e parashikuar për këtë qëllim, ai 700 Mhz, është në përdorim nga operatorët e transmetimeve televizive.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.