Financat: Buxheti i 2018-ës nuk parashikon rritje të pensioneve
Nga 1 janari i vitit të ardhshëm do të rriten pagat e punonjësve në sektorin publik me katër për qind, ndërsa për skemat sociale me 20 për qind. Por për pensionet nuk parashikohet rritje, ka deklaruar ministri i Financave të Kosovës Bedri Hamza.
“Në buxhet janë trajtuar çështjet sociale. Do të ketë rritje të pagave për të gjithë të punësuarit që realizojnë paga përmes buxhetit të Kosovës në përputhje me rritjen ekonomike dhe legjislacionit në fuqi, rreth 4 për qind. Pensionet janë rrit para disa kohesh, sidomos pensionet për kontribut-dhënësit, ndërsa kategoria e skemës sociale nuk është rrit për një kohë të gjatë”.
Hamza ka përsëritur se projekt-buxheti i planifikuar për vitin 2018 është dy miliardë e 82 milionë euro. Ndërsa, pjesa më e madhe e shpenzimeve shkon për investimet kapitale me gjithsejtë 687 milionë euro ose 33 për qind e buxhetit.
Po ashtu, theksoi se përveç Ministrisë së Shëndetësisë, është planifikuar të trajtohet me prioritet të lartë edhe sektori i rendit dhe ligjit.
Me buxhetin për vitin 2018 ai tha se rëndësi e veçantë me prioritet i është kushtuar edhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës, i cili ka një rritje buxhetore 12 për qind në krahasim me vitin paraprak, si dhe Këshilli Prokurorial të Kosovës me një rritje 27 për qind për rritjen e stafit për 690 pozita.
Ai tha janë të përcaktuar që bartës të rritjes ekonomike të jetë sektori privat, ku kanë vlerësuar që rritja ekonomike për vitin e ardhshëm do të jetë 4.6 për qind.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.