Financat e KESH në 9 muaj – Ulet prodhimi, bilanci mbyllet me 4.2 mld lekë humbje
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka mbyllur me humbje 9-mujorin e këtij viti. Sipas të dhënave zyrtare nga KESH, për periudhën janar-shtator kompania regjistroi humbje prej 4.2 miliard lekë, ndryshe nga viti i kaluar ku u regjistrua një bilanc pozitiv prej 1.7 miliard lekësh.
Përkeqësimi i situatës financiare ka ardhur si pasojë e thatësirës së tejzgjatur që ka përfshirë vendin tonë e që është reflektuar në ulje të prodhimit të energjisë. Sipas bilancit të energjisë për 9-mujorin u prodhua 2.3 milion mwh, nga 3.6 milion mwh që u prodhua për të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërkaq, për 9-mujorin KESH ka siguruar nga prodhimi i energjisë rreth 4.8 miliard lekë, ndërkohë që ka shpenzuar rreth 5 miliard lekë për blerje e saj. Nga ana tjetër, kompania ka vazhduar të paguajë interesa për kreditë e marra gjatë viteve të shkuara.
Sipas treguesve të bilancit, për 9-mujorin janë paguar 102.4 miliardë lekë interesa për borxhet e marra nga bankat tregtare dhe donatorët. Kriza hidrike detyroi qeverinë shqiptare të ndryshojë buxhetin e shtetit duke dhënë 3 miliardë lekë shtesë për sektorin e energjisë, ndërkohë që në muajin tetor u miratua edhe një hua prej 1 miliard lekë për blerjen e energjisë nga OSHEE.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.