Financat e shtetit deri në 2022 – Strategjia afatmesme / Ulet borxhi, rriten investimet
Qeveria ka përcaktuar trajektoren e financave publike në 4 vitet e ardhshme, përmes strategjisë afatmesme e cila ka marrë fuqi ligjore. Dokumenti vendos shtatë objektiva kryesore, të cilat kanë si qëllim garantimi i një sistemi të financave publike që nxit transparencën, llogaridhënien, disiplinën fiskale dhe efikasitetin në menaxhimin dhe përdorimin të burimeve publike për ofrimin e shërbimeve të përmirësuara dhe zhvillimin ekonomik.
Konkretisht, qeveria zotohet të vijojë reformat strukturore, përfshirë forcimin e shtetit të së drejtës dhe institucioneve ekonomike, të heqë pengesat për kursime më të mëdha private dhe investime, të reduktojë borxhin publik me ritëm më të shpejtë, duke përmirësuar menaxhimin e investimeve publike dhe duke zgjeruar bazën e të ardhurave. Në dokument, thuhet se “objektivat fiskalë përfshijnë uljen e borxhit publik nga 67 për qind në më poshtë se 60 për qind të PBB-së deri në vitin 2022, duke ulur shpenzimet korrente dhe duke stabilizuar të ardhurat tatimore.
Pritet që deficiti buxhetor të bjerë në 1,2 për qind të PBB-së në vitin 2021, përmes uljes së shpenzimeve korrente, por në të njëjtën kohë duke ruajtur rritjen e shpenzimeve kapitale me një mesatare prej 5 për qind të PBB-së. Investimet publike pritet të rriten në mbi 6 për qind të PBB-së në vitin 2021, megjithëse nënvizohet se por kjo rritje mund të jetë e vështirë të realizohet, për shkak të dobësive në planifikim dhe menaxhim të shpenzimeve kapitale.
Duke marrë parasysh se për vitin e ardhshëm, për shkak edhe të faturës së lartë të dëmeve të shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit, investimet publike ranë në 4,5 për qind, defiçiti në 2.2 për qind, objektivat e vendosura nga qeveria janë ambicioze dhe kërkojnë reformat të qëndrueshme.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.