Financat i përgjigjen KLSH për detyrimet: “Nuk lejojmë më hapjen e projekteve të reja, pa shlyer borxhet ekzistuese”
Pavarësisht shkeljeve të prezantuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, Ministria e Financave i qëndron treguesve të bërë publik në buxhetin faktik të vitit 2019, ndërsa vë në dukje se janë marrë me seriozitet rekomandimet e këtij institucioni. Sa i takon krijimit të detyrimeve të prapambetura, Drejtoresha e Buxhetit në Ministrinë e Financave, Mimoza Dhëmbi, shprehet se kjo situatë do të ndryshojë pasi janë marrë masat e duhura ligjore.
“Treguesit e paraqitur nga Ministria e Financave jane te konfirmuar dhe iu qendrojmë te gjithave. I shohim me seriozitet rekomandimet e KLSH, përpiqemi te respektojmë angazhimet qe kemi marre. Permiresime ne menaxhimin e financave publike jane bere, jane te dukshme, dhe janë permirësuar çeshtje te ngritura nga KLSH. Eshte bere nje pune kolosale per te parandaluar krijimin e detyrimeve te prapambetura. Tashme kemi pergatitur nje udhezim te ri, ku sistemi eshte i plote, te gjitha njësite i regjistrojnë ne sistemin e thesarit, dhe publikohen ne web-sitin e Ministrisë së Financave. Nuk i lejojme institucionet te hapin projekte te reja pa shlyer detyrimet e prapambetura”.
Përfaqësuesja e Ministrisë së Financave ka sqaruar edhe diferencat midis dy institucioneve në llogaritjen e borxhit publik , ku sipas Ministrisë së Financave për vitin 2019 rezultoi në 66.2 për qind, ndërsa sipas KLSH-së, rezulton në 66.7 për qind.
Buxheti faktik për vitin 2020 dhe raporti i KLSH-së mbi zbatimin e këtij buxheti janë miratuar në parim dhe nen për nen në Komisionin e Ekonomisë, për të shkuar më tej në seancë plenare.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.