Financim për Greqinë – Më 22 janar do të zhbllokohet kësti i radhës, prej 6.7 mld euro
Kësti i radhës ndaj Greqisë do të jetë prej 6 deri në 7 miliardë euro, deklaroi një burim pranë Eurozonës. Më saktësisht, kësti do të jetë prej 6.7 miliardë euro, nga të cilat 3.3 miliardë do të shkojnë për të mbuluar nevojat e Greqisë deri në muajin Qershor.
Këto para do të disbursohen menjëherë pasi të mbarojë rishikimi i programit të tretë të shpëtimit të vendit, deklaruan burimet për agjencinë helene të lajmeve.
Sipas të njëjtave burime, vendimi për të disbursuar këstin e radhës së huasë do të merret gjatë takimit të Eurogrupit më datë 22 janar.
Gjatë javës që vjen ndërkohë, pritet që Athina zyrtare të zgjidhë disa prej çështjeve të lëna ende pezull me kreditorët e huaj, për të zhbllokuar në këtë mënyrë rishikimin e programit të tretë të shpëtimit, e për rrjedhojë edhe paratë.
Greqia ka bërë bindshëm hapa para në axhendën e reformave, edhe përgjatë dy rishikimeve të kaluara të programit të shpëtimit, por disa çështje nuk janë zgjidhur ende, dhe kreditorët ndërkombëtarë nuk kanë ndërmend të lëshojnë pe, pa i zgjidhur.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.