Financim për ndërmarrjet sociale – Fondi 250 milionë lekë, si do të shpërndahet dhe kriteret për përfitim
Qeveria ka vënë në dispozicion për financimin e ndërmarrjeve sociale në vend një fond prej rreth 250 milionë lekësh për 3 vitet e ardhshme, ku për vitin 2019 janë parashikuar 61 milionë lekë dhe me rritje në dy vitet pasuese. Vendimi është botuar në Fletoren Zyrtare dhe fondi do të subvencionojë veprimtarinë e ndërmarrjeve sociale; vendet e reja të punës të krijuara për punësimin e individëve nga grupet e pafavorizuara; sigurimet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore të punonjësve të ndërmarrjeve sociale, që u përkasin grupeve të pafavorizuara.
Përfituese janë ato ndërmarrje që paraqesin një projektpropozim ose plan biznesi, duke demonstruar se zërat e parashikuar për mbështetje janë të rëndësishëm për zhvillimin dhe zgjerimin e veprimtarisë së tyre. Dhënia e subvencionit kushtëzohet me punësimin e personave nga kategoritë e grupeve të pafavorizuara dhe kohëzgjatja e kontratës të jetë jo më pak se dy vjet.
Pagesa, bëhet 50% me miratimin e aplikimit dhe 50 % pas realizimit të shpenzimeve, kundrejt faturave të paraqitura, të cilat vërtetojnë shpenzimet e kryera. Subjektet aplikuese nuk duhet të kenë shkelur legjislacionin e punës dhe atë tatimor lidhur me detyrimet ndaj punëmarrësve, për aq kohë sa kryejnë veprimtarinë. Një ndërmarrje mund të përfitojë në total në 3 vite, 14 milionë lekë grante.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.