Financimi i agrobujqësisë – Muça: Qeveria të na mbështesë me subvencionimin e interesave
Mikrofinanca është zhvilluar mjaft gjatë viteve të fundit, ku mbështetjen kryesore me financime e kanë përqendruar në zonat rurale. Bajram Muça, President i Shoqatës Shqiptare të Mikrokredisë, thekson se duke qenë se sektori agropërpunues dhe ai bujqësor janë prioritet për qeverinë, ekzekutivi mund të ndihmojë duke krijuar fonde të posaçme për subvencionimin e interesave të kredive.
“Mikrofinanca natyrisht që në kosto qëndron më lart se sistemi bankar, duke iu dhënë aksesin në mbledhjen e depozitave, që unionet e kanë. Detyrimisht këto kosto fillojnë dhe axhustohen. Ndërsa përfituesit janë fermeri, biznesmeni i vogël në qytet, etj. Natyrisht që edhe qeveria duhet të shikojë mundësinë e subvencionimit të këtyre interesave, sidomos në zonat rurale.
Ne kemi projekte, me BERZH-in, projekti që dihet i bujqësisë, e ndoshta qeveria shqiptare mund të shikojë mundësinë që një pjesë të këtij interesi ta subvencionojë, që fermeri me të vërtetë ta kuptojë si ndihmë këtë lloj financimi që i bëhet”, shpjegoi Muça.
Aktorët dhe faktorët e tregut të mikrofinancës në Shqipëri u mblodhën në një takim ku diskutuan kryesisht në mundësitë e zhvillimit të këtij tregu. Mikrofinanca shqiptare ka injektuar në ekonomi më shumë se 1 miliardë dollarë duke dhënë mbi 350 mijë kredi të ndryshme dhe duke ndikuar në mënyrë indirekte në punësimin e të paktën 500 mijë personave në vendin tonë.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.